Fjala përshëndetëse e ambasadores Schütz në ceremoninë e dorëzimit të kutive të arkivimit Muzeut të Fotografisë Marubi në Shkodër, 17.1.2017

Zmadho fotografinë

Shumë e nderuar znj. Ministre Kumbaro,
shumë i nderuar z. Ministër Bushati,
i dashur  z. Bedeni, drejtori muzeut dhe punonjës të tij,
të dashur miq, 

për mua është kënaqësi të mund t‘i dorëzoj sot  Muzeut Kombëtar të Fotografisë 7000 kuti arkivimi dhe 82.000 zarfe speciale për arkivimin dhe depozitimin e duhur të negativëve. Bëhet fjalë për më shumë se 4 ton materiale për të cilat qeveria Federale e Gjermanisë ka vënë në dispozicion rreth 70.000 euro.
Qoftë edhe vetëm sasia e materialit e bën të qartë, se cfarë thesaresh fshihen në muzeun Marubi, i cili që prej hapjes së tij vitin e shkuar është shndërruar në një highlight të vërtetë në Shqipëri, që rrezaton përtej kufijve të vendit. Me më shumë se 500.000 negativet e tij, mes të cilëve rreth 150.000 negative xhami tejet të ndjeshëm ky muze është streha e një thesari me vlera unike në pikëpamje historiko-kulturore dhe njëkohësisht një pjesë vendimtare e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Të konservuara dhe prezantuara  në mënyrën e duhur ky thesar mund të përforcojë vetëdijen për trashgiminë dhe identitetin shqiptar. Negativët, fotografitë dhe dokumentet e tjera kanë një vlerë të madhe artistike e njëkohësisht edhe dokumentuese. Ato i rrëfejnë vizitorit për një botë tjetër.

Themeluar në vitin 1856 nga Pietro Marubi fototeka u kujdes që në atë kohë, në Shqipërinë e një varfërie të hidhur, për vendosjen e standardeve të vërteta dhe mund të matej me atelietë e pakta të kohës në Evropën Perëndimore, të njohura për vlerat e tyre. Pas kësaj vijuan 100 vite të një zhvillimi ambicioz të artit fotografik, lindur mes qindra mijera fotosh.

Që këto fotografi, negativë dhe dokumenta janë mundur të ruhen kaq mirë deri më sot ka të bëjë edhe me faktin se ato për dekada të tëra, pasi fototeka ndërpreu aktivitetin e saj në vitin 1952, janë depozituar thuajse të paprekura në dhomat e njohura për të gjithë ju të një shtëpie të qytetit të Shkodrës - pjesërisht edhe sot në kutitë e çokollatave kineze të viteve 60, të cilat më në fund do të dalin jashtë përdorimit duke u zëvendësuar prej materialeve profesionale arkivuese nga Gjermania. Mbështetja e muzeut Marubi përmes Qeverisë Federale Gjermane mundësohet nga fonde të Programit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Jashtme Federale, i cili angazhohet të ruajë trashëgiminë kulturore në mbarë botën. Vetëm në Shqipëri ky program ka mbështetur njëzet projekte për ruajtjen e vlerave kulturore, sikure janë restaurimi i Kishës së Shën Antonit në Kepin e Rodonit, restaurimi i mozaikut paleokristian në Parkun Antigonea dhe mbrojtja e ikonave në Korcë.

Pas çeljes së kësaj ndërtese të re të muzeut vitin e shkuar, ky është një hap tjetër i rëndësishëm, pasi tanimë mund të aplikohet një sistem i ri arkivimi për negativët. Dhe ne jemi krenarë e të gëzuar, që kësisoj mund të  mbështesim zemrën e muzeut, arkivin.

Ndaj dëshiroj të përgëzoj të gjithë punonjësit e muzeut të fotografisë Marubi, e në mënyrë të veçantë z. drejtor Lucjan Bedeni, pasi ky muze është tanimë një xhevahir në panoramën muzeale të Shqipërisë dhe Evropës, i cili tërheq vizitorë shqiptarë dhe të huaj.

Dëshiroj të falënderoj edhe Ministren e Kulturës znj. Kumbaro dhe Ministrin e Jashtëm z.Bushati para së gjithash për bashkëpunimin e shkëlqyer, por edhe për faktin se megjithë angazhimet e tyre të shumta në Tiranë nuk pranuan të humbnin mundësinë e të qenit sot të pranishëm në këtë ceremoni dorëzimi.