Aktivitet përkujtimor në Borovë

Ambasadorja Schütz në aktivitetin përkujtimor në Borovë Zmadho fotografinë Ambasadorja Schütz në aktivitetin përkujtimor në Borovë (© Ambasada Gjermane Tiranë) Shumë të nderuar banorë të Borovës,
Shumë të nderuar të ftuar,
Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj,

Unë ju falënderoj shumë përzemërsisht që më ftuat të marr pjesë në këtë ceremoni përkujtimore në Borovë.
Për mua kjo është pjesëmarrja ime e parë në këtë aktivitet përkujtimor. Kam ardhur këtu për të kujtuar së bashku me ju ato krime makabre të Vermaht-it Gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, si dhe të nderoj viktimat e tyre.
Më 6 korrik 1943 ushtarë gjermanë në kuadër të një aksioni shpagimi kundër një sulmi partizan vranë në mënyrë mizore 107 njerëz në këtë fshat idilik, mes tyre grad he fëmijë.
Edhe 74 vjet pas kësaj masakre është e drejtë të kujtojmë këto ngjarje të dhimbshme. Dhe për mua, si Ambasadore Gjermane, është e rëndësishme të jem këtu këtë ditë e të flas para jush. Nuk është e lehtë për mua, sepse në një ditë si kjo si gjermane mund të ndjesh vetëm turp, edhe pse ata që kanë lindur më pas nuk kanë personalisht faj për këto ngjarje. Katastrofa që tirania nacionalsocialiste solli fillmisht në botë e më pas edhe në vetë Gjermaninë, është pjesë e kujtesës sonë dhe do të na shoqërojë edhe në të ardhmen si paralajmërim.

Ambasadorja Schütz me përfaqësues të komunitetit, qytetarë dhe pjesëtarë të familjeve Zmadho fotografinë Ambasadorja Schütz me përfaqësues të komunitetit, qytetarë dhe pjesëtarë të familjeve (© Ambasada Gjermane Tiranë) Në Gjermani u deshën shumë vjet derisa pati një përballje të sinqertë me historinë e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore në shoqëri.
Por pikërisht kjo përballje e hapur dhe pa frikë me historinë tënde, me gabimet dhe krimet e saj, është një kusht vendimtar për pajtimin me kundërshtarët e dikurshëm dhe pasaardhësit e viktimave.
Fakti që pas gjithë asaj që ndodhi, pas gjithë atyre vuajtjeve që botës iu shkaktuan nën emrin e Gjermanisë, ne në Evropë u bëmë miq dhe partnerë përtej varreve që na ndanin, ësht ënjë moment hiistorik fatlum. Pajtimi evropian vazhdon të jetë edhe sot një arritje madhështore dhe sinjal i shpresës për ne në evropë, në mënyrë të vecantë në Ballkan e përtej tyre edhe në rajone të tjera të boptës.
Ekseset e dhunshme në luftë janë edhe sot pjesë e të përditshmes së shumë njerëzve të pafajshëm. Edhe këtu, në Ballkanin Perëndimor, lufta, sdhuna dhe urrejtja nuk janë një e shkuar e largët. Krahas kësaj vitet e fundit ka patur edhe shumë akte terroriste të kamufluara, që kanë goditur edhe Evropën duke shkaktuar viktima të shumta. Lajmet dhe pamjet e tmerrshme, që mbërrinë tek ne cdo ditë përmes mediave, bëjnë të qartë se ata që humbin jetën nuk janë vetëm ushtarë apo forca të sigurisë por është vecanërisht popullsia civile që humb jetën dhe bie viktimë e dhunës.
Tmerret e të tashmes, lufta, arratia, dëbimet, terrorizmi dhe dhuna janë sfida aktuale me të cilat duhet të përballemi herë pas here. Kjo e sotmja është një ditë ku duhet të mendojmë dhe vetëdijësohemi për luftën, dhunën dhe gjithë vuajtjet që ato kanë sjellë e vijojnë ende të sjellin.
Kërkimi i paqes në mënyrë aktive, kapërcimi i kundërshtive dhe mirëkuptimi mes popujve  vazhdon pra t ëmbetet një detyrë e kahershme për të gjithë ne.

Ambasadorja Schütz në bisedë me të vetmin të mbijetuar i cili ishte në vitin 1943 vetëm 7 vjeç Zmadho fotografinë Ambasadorja Schütz në bisedë me të vetmin të mbijetuar i cili ishte në vitin 1943 vetëm 7 vjeç (© Ambasada Gjermane Tiranë) Zonja dhe zotërinj,
Shqipërisë i është dashur të vuajë për një gjysmë shekulli nën një tirani të tmerrshme. Për dekada të tëra ajo ka qenë plotësisht e izoluar prej Evropës dhe botës. Ndaj Shqipëria mundi  të bëhet shumë vonë pjesë e asaj vepre të madhe të pajtimit dhe ndërtimit të evropës përmes paqes, lirisë, mirëqenies dhe solidaritetit nisur që në vitet 40-të.
Ndaj edhe më i madh është gëzimi për faktin që ky vend pas kapërcimit të diktaturës, është tanimë anëtar i NATO-s dhe si mbrojtës aktiv i Integrimit Evropian angazhohet për ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.
Pasi pikërisht ky ësht ëmësimi qendror, që do të duhej të nxirrnim prej tmerreve të të të shkuarës, pavarësisht vendit ku kanë ndodhur - qoftë në Borovë gjatë Luftës së Dytë Botërore apo në Ballkan gjatë konflikteve të përgjakshme të vetëm pak viteve më parë::
Vetëm duke i kujtuar bashkarisht dhe në bashkëjetesë besimplote me njëri-tjetrin këto ngjarje të dhimbshme, do të mund të sigurojmë një të ardhme të mirë për veten dhe fëmijët tanë.
Ju falënderoj për vëmendjen.

Fjalë përshëndetëse e ambasadores Schütz me rastin e aktivitetit përkujtimor në Borovë, 6. korrik 2017