Vizitë e suksesshme e Presidentit Meta me Presidentin Federal Steinmeier në Berlin

Shumë i nderuar zoti President Meta, për mua është një kënaqësi e veçantë, që me rastin e kësaj vizite kortezie në Gjermani t’ju uroj mirëseardhjen këtu në Kështjellën Bellevue.

Shqipëria është një nga partnerët tanë më të ngushtë mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në Gjermani jetojnë 50.000 qytetarë me origjinë shqiptare. Mjafton vetëm ky fakt që të bëjë të qartë marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve tona. Për këtë arsye unë e di mjaft mirë, përse vizita juaj , z. President , na vë të gjithëve ne këtu në Kështjellën Bellevue përpara sfidash të një rëndësie të veçantë. Sepse kjo ditë do të duhet të jetë e denjë të matet me të mirënjohurën mikpritje të shqiptarëve, që në vendin tuaj ua rezervojnë njësoj si miqve ashtu edhe të huajve. Për ne, gjermanët, është mjaft emocionuese të mësojmë për mikpritjen shqiptare, sepse ajo ka mundur të ruajë emrin e saj të mirë edhe në rrethana nga më të pafavorshmet dhe negativet të mundshme. E kam fjalën këtu për pushtimin e vendit tuaj gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Reih-u Gjerman dhe aleatët e tij. Asokohe Shqipëria refuzonte me forcë të dorëzonte hebrenjtë drejt vendit të deportimeve, e kësisoj drejt vdekjes së sigurt. Dhe kjo pavarësisht nëse bëhej bëhej fjalë për shtetas shqiptarë apo të huaj, që kërkonin mbrojtje - prej të cilëve Shqipëria pranoi një numër të madh. Vështirë se ka një vend tjetër që të dëshmojë statusin e mysafirit me një thellësi të tillë historike. Kjo më impresionon shumë.

Sot fatet e vendeve tona - falë Zotit! - pikëpriten në rrethana shumë më fatlume.

Shqipëria është një spirancë e stabilitetit në rajon. Madje Shqipërisë i takon të luajë një rol kyç në çështje të rëndësishme të asaj pjese të Evropës aq të ngarkuar me konflikte. E kësisoj ajo mban edhe një përgjegjësi të madhe në mbarëvajtjen e një zhvillimi rajonal të paqtë e të suksesshëm. Në kohëra, kur kërcënimi për t’iu rikthyer dimensionit kombëtar është i shumëfishtë, në Ballkanin Perëndimor thuhet: ne duhet të gjejmë atë çka na lidh, për të kapërcyer dalëngadalë atë që na ndan. Sepse për stabilitetin dhe prosperitetin në rajon lipsen baza të qëndrueshmëe prej besimi dhe bashkëpunimi. Roli i veçantë i Shqipërisë në këtë proces reflektohet në pritshmëritë e larta të miqve dhe mbështetësve të saj në Evropë dhe përtej.

Ndaj edhe për këtë arsye Gjermania do të mbështesë edhe më tej e vendosur perspektivën e anëtarësimitë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne dëshirojmë të jemi me fjalë e me vepra krah vendit tuaj në këto përpjekje të tij. Shqipëria ka hedhur deri më tani disa hapa të rëndësishëm drejt përafrimit me BE-së. Të tjerë duhet të vijojnë të ndërmerren. Ndaj përshëndes shprehimisht faktin, që qeveria e re shqiptare nën drejtimin e Kryeministrit Rama mori një mandat të fortë në fillim të verës për të ndjekur këtë rrugë. Tanimë mbetet vetëm për të nisur dhe zbatuar reformat ende të parealizuara. Dhe ne duam ta mbështesim vendin Tuaj në këtë drejtim. Ne duam të ndihmojmë Shqipërinë të realizojë potencialin e saj, e bashkë me të edhe perspektivën e Bashkimit Evropian. Shqipërinë e mbështesin në këtë proces edhe shumë prej partnerëve tanë evropianë, çka më mbush me optimizëm. Pasi për Gjermaninë nuk ka asnjë alternativë tjetër për tu ndjekur veç bashkimit evropian.

Por tani shpresoj që ju, zoti President, dhe i tërë delegacioni juaj të mund të shijojnë edhe një copëz të mikpritjes gjermane. Dëshiroj t’Ju lutem të ngremë së bashku gotat - për Presidentin Meta dhe Republikën e Shqipërisë, për miqësinë shqiptaro-gjermane dhe të ardhmen tonë të përbashkët në një Evropë të paqes, stabilitetit dhe shtetit ligjor.