„Nuk ka alternativë tjetër përveç reformave“

Ministri i Jashtëm Federal Sigmar Gabriel me homologun e tij Ditmir Bushati Zmadho fotografinë Ministri i Jashtëm Federal Sigmar Gabriel me homologun e tij Ditmir Bushati (© Auswaertiges Amt/Photothek) Ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel i ka bërë thirrje opozitës në Tiranë për ti dhënë fund bojkotit të parlamentit dhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e afërta. Gjatë vizitës së tij më 17 prill ai zhvilloi biseda me Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe drejtuesin e opozitës Lulzim Basha. Gabriel shfrytëzoi vizitën e tij të parë në Shqipëri për të krijuar një përshtypje rreth gjendjes thuajse dy muaj përpara zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Pjesë të opozitës shqiptare nuk marrin më pjesë në punën parlamentare duke bllokuar kësisoj procesin urgjentisht të nevojshëm të reformave.

„Kush bojkoton zgjedhjet dhe parlamentin, e largon vendin nga BE dhe dëmton interesat e qytetareve dhe qytetarëve“, u shpreh Gabriel. Në të njëjtën kohë ai nënvizoi që Qeveria Federale mbështet perspektiven e anëtarësimit të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Por kjo është një rrugë, që do të kërkojë kohë, duke qenë se duhen përmbushur një sërë sfidash. Ndërkohë Gjermania dëshiron të angazhohet në përmirësimin e zhvillimit ekonomik dhe social të vendeve të këtij rajoni.

Ministri i Jashtëm Gabriel takohet Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama Zmadho fotografinë Ministri i Jashtëm Gabriel takohet Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama (© Ronny Hartmann/photothek.net) Por nga ana tjetër qeveritë e rajonit nuk duhet të paralizojnë proceset e reformave. “Nuk ka alternativë tjetër përveç reformave, për shembull asaj në sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri. Nuk ka alternativë tjetër veç luftës kundër korrupsionit kudo në rajon apo luftës kundër krimit të organizuar“, u shpreh Gabriel. Krahas bisedave me Kryeministrin Rama dhe Ministrin e Jashtëm Bushati pjesë e programit ishte edhe një takim me drejtuesin e opozitës Basha, Kryetar i Partisë Demokratike. Me këtë rast Sigmar Gabriel i bëri thirrje partisë opozitare t’i jepte fund bllokimit të parlamentit për tu bërë sërish pjesë e proceseve politike.

Vazhdimi i bojkotit destruktiv nga opozita rrezikon përparimin e vendit dhe përafrimin e tij me BE-në, citohet Ministri i Jashtëm Gabriel. „Thelbësore është që në qendër të vendoset e mira e njerëzve. Egoizmi politik nuk është i dobishëm në këtë kontekst.“ Reforma në drejtësi dhe progresi në katër sektorët kyç të mbetur vazhdojnë të jenë sipas Ministrit të Jashtëm Federal, të domosdoshme për hapat vijues në përafrimin me Bashkimin Evropian.

Në Ballakanin Perëndimor vitet e fundit ka patur progres mbresëlënës. Në vitin 2009 Shqipëria bëri kërkesën për anëtarësim dhe që prej vitit 2014 është vend kandidat. Por përpara se të nisin bisedimet e anëtarësimit duhet të realizohen reforma në disa sektorë me rëndësi kyçe. Krahas luftës kundër korrupsionit dhe konsolidimit të të drejtave të njeriut një sektor veçanërisht të rëndësishëm paraqet reforma në sistemin e drejtësisë, realizimi i të cilës është shtyrë ndërkohë në një të ardhme të largët.